Në çerekun e dytë të shek. XV turqit osmanllij i vazhduan gjithnjë
me ngulm fushatat e tyre në drejtim të Evropës qëndrore duke mos e fshehur
synimin e tyre për të kaluar edhe në Itali, shtetet e Evropës, ndonëse e
kuptonin se rrezikut turk mund t'i bëhej ballë vetëm me forca të bashkuara,
vazhdonin të ishin të përçara nga rivalitetet e tyre feudale. Shteti që ishte
drejtpërdrejt i interesuar për të krijuar një front të gjerë luftarak në shkallë
evropiane kundër turqve qe Hungaria. Por hungarezët, të cilët po luftonin
trimërisht kundër turqve, kishin mbetur vetëm. Bujarët feudalë të Hungarisë e
kishin kufizuar luftën kundër tyre vetëm në mbrojtje dhe synonin t'i shtynin
përtej kufijve të tyre hordhitë e turqve pa i ndjekur ato më tutje. Shtetet e
tjera evropiane ose nuk interesoheshin fare për atë që ngjiste në Evropën
juglindore, si për shëmbëll shtetet gjermane: ose interesoheshin shumë pak, si
Franca me Burgundinë: ose kishin telashe të brëndëshme të shkaktuara nga
rivalitetet midis tyre, si shtetet italiane; ose më në fund përpiqeshin të
përfitonin nga përhapja e panikut të shkaktuar prej invazionit turk në kurriz të
shteteve të tjera, si Venediku, Papati, Perandoria Gjermane. Venediku si dhe
Gjenova përpiqeshin të nxirnin përfitime tokësorë në kurriz të vendeve viktima,
të ruanin marredhënie të mira me sulltanin dhe t'u merrnin turqve me anën e
tregëtisë pasuritë që ata kishin grabitur me anën e forcës në vëndet ballkanike.
Papa e rregullonte politikën e vet sipas interesave të kishës dhe të qyteteve të
pasura italiane. Ky përkrahte organizimin e kryqëzatave antiturke sa herë që
këto fushata përputheshin me interesat e këtyre qyteteve dhe në të njëjtën kohë
përpiqej më tepër të përfitonte nga çthuria e organizimit kishtar orthodoks për
të përhapur katolicizmin, se sa për qëndresën kundër turqve. Pothuajse asnjë
shtet nuk donte të bënte sakrifica në luftën kundër osmanllinjve dhe secili
përpiqej t'ia hidhte barrën e luftës tjetrit. Shtetet evropiane prisnin t'u
vinte armiku te dera dhe pastaj të luftonin kundër tij. Në këto rrethana turqit
vazhdonin të ruanin epërsinë e tyre politike e ushtarake dhe të gjenin rast për
t'i thyer armiqtë një nga një.
Në vitet 1439-1442, sulmet e turqve mbi Hungarinë arritën në kulm. Përpjekjet
shumëvjeçare të hungarezëve për ta larguar rrezikun larg vendit të tyre kishin
dështuar nga vetë qëndrimi partikularist i baronëve feudalë, të cilët pengonin
përforcimin e pushtetit shtetëror në duart e mbretit. Njerëzit largpamës e
shikonin qartë se me një luftë mbrojtëse, rreziku turk nuk largohej nga kufijtë
e Hungarisë. "Një armik që është i uritur për grabitje dhe gati për sulm,
shkruante afërsisht në këtë kohë Janosh Huniadi, vojvoda i përgjithshëm i
Hungarisë në Transilvani, duhet të prapset me sulm. Është më mirë të sulmojmë ne
vetë se sa të presim dhe t'i hapim shteg të na sulmojë". Këto kërkesa triumfuan
më 1442 kur Hungaria, nën udhëheqjen e Jano Huniadit, kaloi nga luftat mbrojtëse
në luftat ofensive, rezultati i të cilave ishte ndalimi i përparimit të turqve
drejt Evropës qëndrore.
Kthesa që u duk në Hungari u hapi
shpresa popujve të shtypur të Ballkanit për
çlirimin e tyre nga zgjedha e huaj. Pas disa fitoreve fillestare
që korri Huniadi më 1442 kundër turqve, në
vjeshtën e vitit 1443, ky grumbulloi një ushtri të
shumtë hungarezësh ku morën pjesë edhe reparte
polakë, rumunësh e serbësh për të
shpërthyer një ofensivë të madhe kundër tyre.
Në të njëjtën kohë Huniadi u përpoq
të hynte në lidhje me popullsitë e shtypura të
Ballkanit për të luftuar bashkërisht kundër
osmanllijve. Aleati i Hungarisë, Papati, bënte me anën e
peshkopëve një preson të vazhdueshëm te
bujarët ballkanikë që të rrëmbenin armët
kundër turqve sapo hungarezët të lëviznin drejt
jugut. Rasti ishte i favorshëm për bujarët
shqiptarë, të cilët kishin shpresuar prej kohësh te
ndryshimi i gjëndjes ndërkombëtare në dëm
të turqve. Veç kësaj, rrethanat për një
kryengritje çlirimtare ishin të favorëshme edhe sepse
frika e ofensivës hungareze e kishte detyruar sulltanin të
tërhiqte nga sanxhaqet e ndryshme ushtritë turke, duke
përfshirë edhe ato të spahijve, dhe t'i grumbullonte
në Danub.
Papa Eugjen i IV me anën e peshkopëve katolikë të Shqipërisë, ra gjithashtu
në kontakt me bujarët shqiptarë duke përfshirë këtu edhë Skënderbeun,
sanxhakbeun e Dibrës. Në përgjithësi bujarët shqiptarë u treguan të gatshërm për
kryengritje. Gjergj Arianiti që qëndronte gjithnjë në malësitë e veta, rifilloi
sulmet kundër ushtrive turke në drejtim të Maqedonisë. Në jug, Gjin Zenebishi,
biri i Depës i pasuar nga shumë kryengritës, marshoi edhe ky kundër ushtrive
turke të Kosturit, por në ndeshjen që pati këtu me Feriz Pashën, sanxhiakbeun e
Karaferjes, u mund dhe u vra. Ndryshe nga këta, Skënderbeu, si duket, mendonte
të fillonte kryengritjen pasi të kishte shpërthyer ofensiva hungareze, për të
mos u ndodhur i izoluar. Prandaj u nis së bashku me kalorësit e vet spahij e
xhebelij në frontin e Danubit, nën urdhërat e Kasem Pashës, bejlerbeut të
Rumelisë.
Duke vazhduar marshimin e tyre, ushtritë hungareze iu afruan lumit Morava, në
bregun e kundërt të të cilit ndodheshin ushtritë turke. Më 3 nëndor 1443,
hunga-rezët kaluan lumin dhe sulmuan me guxim ushtritë turke në afërsitë e
Nishit. Këto u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluara. Thyerja e ushtrive turke i
dha rast Skënderbeut të vinte në zbatim planin e tij të përgatitur prej kohësh.
Së bashku me 300 kalorës shqiptarë të repartit të tij dhe i shoqëruar nga i
vëllai, Stanishi dhe i nipi, Hamza Kastrioti, ai e braktisi frontin dhe u nis në
drejtim të Dibrës. Barleti thotë se Skënderbeu, para se të braktiste frontin,
mori me forcë nga sekretari i vulës së sulltanit që shoqëronte bejlerbeun e
Rumelisë, një ferman të rremë i me të cilën urdhërohej subashi i Krujës t'i
dorëzonte Skënderbeut kështjellën.
Në Dibër, Skënderbeu e gjeti
popullsinë të gatëshme për kryengritje. Rreth tij u
bashkuan shumë dibranë, të cilët ai i vendosi
në poste të ndryshme për të mbrojtur qytetin nga
ndonjë sulm i turqve. Pastaj, pa humbur kohë, me një
pjesë të forcave të veta iu drejtua Krujës, të
cilën e mori pa luftë. Me anën e fermanit të
rremë, mori në dorëzim qytetin dhe kështjellën
dhe i vuri në dijeni krutanët mbi qëllimet e veta. Sipas
udhëzimeve të Skënderbeut, natën, në befasi,
qytetarët së bashku me dibranët që kishin
qëndruar të fshehur jashtë qytetit, sulmuan garnizonin
turk, dhe e asgjësuan. Pas kësaj nate të
përgjakëshme, të nesërmen, në vend të
flamurit turk u ngrit flamuri i kuq me shkabën e zezë dy
krenare i përshëndetur nga të gjithë, shkruan
Barleti, me thirrje të zjarrta "liri, liri?". Pasi siguroi
Krujën, Skënderbeu u nis në krahinat e Matit e të
Dibrës që bënin pjesë në zotërimet e
Kastriotëve ftoi popullsinë të merrte pjesë në
luftën kundër turqve. Kudo fjala kryengrititëse e
Skënderbeut u prit me entuziazëm. Në të
njëjtën kohë ai ftoi në Krujë bujarët
shaiptarë për të hartuar planin e një kryengritjeje
të përbashkët. Më 27 nëndor u kthye edhe
vetë në Krujë. Të nesërmen, më 28
nëndor 1443 në sajë të përkrahjes së
njëzëshme që gjeti e shpallën zot i
principatës së lirë dhe të pavarur të
Kastriotëve me qendër në Krujë. Rolin e madh
që lojtën masat popullore në çlirimin e
shpejtë të principatës, na e tregojnë fjalët
që, sipas Barletit, Skënderbeu u tha atë ditë
krutanëve: "Lirinë mund të kishit fituar me
trimëtë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër,
se Shqipërisë nuk i mungojnë burrat... Lirinë nuk
ua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj... armët
nuk ua ngjesha unë po u gjeta të armatosur, lirinë e
kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë
dhe në ushtat..."
Me forcat e armatosura që u grumbulluan me shpejtësi, Skënrderbeu, duke
përfituar nga përparimi i mëtejshëm i Huniadit, i cili po depërtonte thellë në
gadishullin ballkanik dhe kishte hyrë në Bullgari, shtiu në dorë njerën pas
tjetrës, gjatë muajit dhjetor kështjellën e Petrelës, Gurit të Bardhë,
Stelushit, Tornaçit në Dibër dhe pak më vonë atë të Sfetigradit të quajtur nga
turqit Koxhakhik, duke dëbuar që këtej repartet e ushtarëve turq. Me këto
suksese u mëkëmb brënda një kohe të shkurtër principata e lirë shqiptare me
kufij zotërimet e dikurëshme të Kastriotëve.