Pas largimit të sulltanit, Skënderbeu u përpoq, të çlironte Krujën
nga rrethimi dhe të shtinte në dorë kalanë e Elbasanit, por nuk i a arriti dot.
Dimri po afronte dhe gjëndja e Shqipërisë ishte tmerësisht e vajtueshtme.
Mehmeti i II me vandalizmat e tij e kishte shkatërruar në një mënyrë të
pashërueshme vendin, sa s'kishte mbetur, siç thotë Qemal Pashë-Zadeja, "as
dhelpër as ujk pa rënë në kthetrat e pushtuesit të botës". Vëndin e kërcënonte
uria. Popullsia e masakruar ishte rralluar. Rinia shqiptare ishte çfarosur gjatë
luftave të shpeshta të viteve të fundit. Ushtria shqiptare që po vazhdonte
luftën me shpirt në dhëmbë, kishte nevojë për armë, municione dhe ushqime.
Për të përballuar gjëndjen
tepër kritike, Skënderbeu u bëri aleatëve të
tij një thirrje të fundit për ndihmë. Ai
dërgoi ambasadorë në Hungari, Venedik e Raguzë.
Në dhjetor 1466, Skënderbeu u nis vetë në Rome,
për ta bindur papën Pal i II mbi nevojën domosdoshme
të ndihmave. Skënderbeu arriti në Romë, më 12
dhjetor, i veshur me zhgunin që mbante gjatë luftës dhe
i shoqëruar me pak kalorës, ku u prit me nderime prej
kardinalëve. Qyteti i Romës i bëri Skënderbeut
një pritje madhështore, të denjë për një
udhëheqës të mbuluar me lavdi. "Si hyri në
Romë , të cilën e kishte mbuluar kishte me zulmën e
emrit dhe trimërisë së vet - shkruan një
dëshmitar - menjëherë doli në praninë e
papës, dhe sa u muar vesh kjo punë nga romakët, nga
të gjithë anët, qe një lëvizie dhe një
rendje e pabesueshme njerëzish për të parë dhe
për të nderuar, dhe Pali kur e pa Gjergjin, u çudit
për pamjen e atij burri të fortë dhe e priti me nderime
shumë të mëdha". Ai i dha atij një relikë
të shenjtë dhe një shumë të pakët të
hollash "që nuk mund të zihen në gojë, - thotë
një shkrimtar bashkëkohas, - pa u skuqur nga turpi çdo
i krishterë". Pas bisedimeve të gjata Skënderbeu e bindi
në fund koncistorin roman t'i jepte atij një ndihmë prej
5 mijë dukatash. Nga Roma, Skënderbeu shkoi në Napoli
por edhe Ferdinandi nuk i dha veçse disa ndihma të
kufizuara, pak ushqime e municione dhe një mijë dukata.
Skënderbeu u kthye në Shqipëri, në fillim të prillit 1467 ku iu drejtua edhe
një here masave popullore të Shqipërisë për të bërë sakrificën supreme. Masat
fshatare, si kurdoherë, edhe tani i u përgjgjën thirrjes së udhëheqësit të tyre.
Me ushtrinë që organizoi me të shpejtë së bashku me Lekë Dukagjinin, duke pasur
edhe ndihmën e disa reparteve venedikase të Shkodrës, Skënderbeu filloi sulmin
kundër ushtrive të Ballaban Pashës që mbante gjithnjë të rrethuar Krujën. Një
ushtri turke që i vinte në ndihmë Ballaban Pashës, nën komandën e vëllait të
tij, u thye pa i u afruar akoma Krujës. Pastaj Skënderbeu, i ndihmuar nga
garnizoni i rrethuar që doli nga kështjella, kreu një sulm vendimtar mbi
ushtrinë turke dhe i shkaktoi një disfatë të plotë. Vetë Ballabani mbeti i vrarë
kurse ushtria turke u tërhoq e shpartalluar. Skënderbeu rrethoi pastaj Elbasanin
por duke mos pasur artileri përsëri nuk e mori dot.
Disfata e Ballaban Pashës e egërsoi
edhe më tepër sulltan Fatihun, i cili vazhdonte ta
konsideronte rezistencën shqiptare si problemin kryesor të
politikës së tij. Në korrikun e vitit 1467, në krye
të ushtrisë së perandorisë, Mehmeti i II, u nis
përsëri kundër Shqipërisë dhe e rrethoj
Krujën për të tretën herë. Këtë
radhë Fatihu kishte vendosur, siç thonë kronistët
turq, të mos kthehej pa e shkatërruar çerdhen e
rezistencës shqiptare që ishte bërë tashmë
simboli i rezistencës evropiane kundër invazorëve turq.
Edhe këtë vit turqit i përsëritën masakrat e
vitit të kaluar. Në një letër tjetër të
tij,Fatihu duke bërë fjalë për ekspeditën e
këtij viti, shkruan se ushtritë turke të Anadollit dhe
të Rumelisë u ndeshën me ushtritë shqiptare në
luginën e Buzurshekut (ndoshta në luginën e Shkumbinit)
dhe midis tyre u zhvillua një e përgjakëshme, në
të cilën të dy palët patën humbje tepër
të mëdha. Duke e mbajtur Krujën të rrethuar, me
pjesën kryesore të ushtrisë, Mehmeti i II sulmoi
gjithashtu Durrësin dhe Shkodrën duke plaçkitur dhe
djegur vendin, por edhe këto nuk i pushtoi dot. Gjatë
kësaj, ekspedite, shënon kronisti Kritobul, turqve
"asgjë nuk u shpëtoi dhe asgjë nuk u mbeti e fshehur nga
gjithë ato që s'mund të arriheshin dot, që ishin
të largëta, të egëra dhe të fshehura
brënda tokës. Brenda 15 ditëve që qëndroi
Mehmeti i II, ushtritë e shumta turke u përpoqën të
çfarosnin pa mëshirë të gjithë
popullsinë e vendit. Por edhe këtë radhë
shqiptarët luftuan me heroizëm duke tërhequr edhe
një herë më shumë admirimin e gjithë
botës së qytetëruar, që e ndiqte me interesim fatin
e kësaj lufte fatale për Shqipërinë. Fatihu nuk e
pushtoi dot Krujën as këtë radhë. "Duke parë,
- thotë Kritobuli, - se do të ishte e pamundur ta merrte
(Krujën) me sulm me anën e armëve" ai u largua i
turpëruar në gusht për në Konstandinopojë duke
lënë aty një pjesë të ushtrisë së
tij që ta vazhdonte rrethimin e kështjellës. Por me
largimin e tij ushtria shqiptare sulmoi dhe e theu ushtrinë turke
duke e shpëtuar edhe kësaj here Krujën.
Fitoret e arritura shqiptarët i paguan shumë shtrenjtë. Shpresat për ndihma
nga jashtë pothuajse ishin prerë. Vetëm Venediku, që vazhdonte të ishte në luftë
me turqit, i dha Skënderbeut një ndihmë prej 3 mijë dukätash dhe disa qindra
ushtarë, duke nxitur që të sulmonte Elbasanin. Republika ishte mjaft e
shqetësuar sepse sanxhakbeut të Elbasanit i qe ngarkuar detyra të sulmonte
Durrësin e ta përfshinte në sanxhakun e vet. Duke marrë Durrësin, turqit, të
cilët kishin në duart e veta edhe Vlorën, vinin në rrezik epërsinë e republikës
në Adriatik. Dëbimi i turqve nga Elbasani ishte në radhë të parë në interesë të
vetë shqiptarëve. Skënderbeu e shikonte se me ndihmat e pakta të Venedikut nuk
mund të përballohej më lufta plot sakrifica kundër osmanllijve. Për të kërkuar
burime të reja, të cilat i kishte gjetur vazhdimisht në vend, thirri në janar të
vitit 1468 në Lezhë, një kuvend të krerëve shqiptarë. Në pragun e kuvendit një
ushtri turke, duke ardhur nga Kosova, sulmoi Shhkodrën. Skënderbeu, i cili ato
ditë ndodhej i sëmurë në Lezhë, nuk mundi të merrte pjesë në luftime. Ushtria
shqiptare këtë radhë luftoi pa komandantin e vet dhe korri mbi turqit një fitore
tjetër. Pas pak ditësh më 17 janar 1468 i mbuluar me një lavdi të përjetëshme,
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vdiq në Lezhë. Ai u varros po aty në katedralen e
Shën-Kollit.