Qëllimi i Skënderbeut ishte çlirimi i krejt vendit dhe lufta
kundër shkelësve turq me forcat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, me
ushtri të rregullt dhe të organizuar.
Për t'ia arritur këtij qëllimi, Skënderbeu sapo mori Krujën. filloi bisedimet
paraprake me bujarët shqiptarë. Këto bisedime, vazhduan edhe në fillim të vitit
1444. Fitoret që po korrte Huniadi, lajmet që qarkullonin në ato muaj se në
vendet e ndryshme të Evropës qëndrore e perëndimore po bëheshin përpjekje për të
organizuar një fushatë të re ushtarake kundër turqve, suksesi i shpejtë që korri
Skënderbeu në çlirimin e zotërimeve të Kastriotëve si dhe gadishmëria e mbarë
popullit për të luftuar kundër turqve, i bindi bujarët shqiptarë se kishte
ardhur koha që të çliroheshin edhe ata nga zgjedha e sulltanit dhe të rifitonin
zotërimet e tyre të mëparëshme. Ne këto rrethana, ftesa e Skënderbeut për të
mbajtur një kuvend të përgjithshëm gjeti pëlqimin e pothuajse të gjithë bujarëve
shqiptarë. Kuvendi u vendos të mblidhej në fillim të marsit. Mbledhja u caktua
të bëhej në qytetin e Lezhës që ishte nën zotërimin e Venedikut, për të mos
ngjallur dyshimin e republikës dhe për të evituar pakënaqësinë e bujarëve, që
mund të shkaktohej në qoftë se mbledhja bëhej në një nga domenet feudale.
Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës u ftuan të dërgonin përfaqësuesit e tyre
në kuvend.
Kuvendi u çel më 2 mars 1444 pranë katedrales së Shën Kollit të Lezhës. Midis
bujareve që moren pjesë në kuvend qenë udhëheqësit e kryengritjeve të
mëparëshme: Gjergj Arianiti, Andre Topia, Nikollë Dukagjini dhe Teodor Korona
Muzaka.
Personalitete të tjera të rëndësishme qenë gjithashtu Pal Dukagjini, Lekë
Zaharia, Lekë Dushmani,Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, sundimtari i Malit të
Zi Stefan Cernojeviçi dhe mjaft feudalë të tjerë. Në kuvend morën pjesë edhe
përfaqësues të fiseve malësore.
Çështja kryesore që u bisedua
në kuvend qe ajo e bashkimit të vendit në luftën
kundër turqve. Skënderbeu, pasi u foli
pjesëmarrësve të kuvendit mbi të kaluarën e
tij dhe arësyet që e kishin detyruar të shërbente
si sanxhakbej i sulltanit, u theksoi atyre nevojën e bashkimit
të forcave të vendit per të marrë pjesë
në luftën kundër turqve tani që fitorja e
hungarezëve kishte hapur prespektiva për çlirimin e
popujve të Ballkanit. Në përfundim të bisedimeve,
bujarët shqiptarë, megjithëse në shumë
çështje kishin divergjenca të theksuara, u
shprehën në mënyrë të njëzëshme
për bashkimin e tyre në luftë kundër turqve,
bashkim ky në shkallë kombëtare që ndodhte, nga sa
dihet, per të parën herë në historinë e
Shqipërisë feudale. Me pëlqimin e
pjesëmarrësve kuvendi vendosi formimin e një
besëlidhjeje e cila njihet me emërin "Lidhja shqiptare", ose
"Lidhja e Lezhës" Lidhja shpalli Skënderbeun kryetar të
saj.
Një vendim tjetër me rëndësi që mori kuvendi i Lezhës qe formimi i një
ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin si Skënderbeu ashtu dhe
bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua gjithashtu
Skënderbeu, me titullin "kapiten i përgjithshëm" (Capitaneus generalis) ndërsa
komandantët e reparteve të veçanta do të caktoheshin nga vetë bujarët. Përveç
ushtrisë, kuvendi vendosi të krijonte edhe një arkë të përbashkët për të
përballuar shpenzimet e luftës. Fondi do të krijohej me kontributet që do të
jepnin bujarët shqiptarë si dhe me një pjesë të të ardhurave të kriporeve të
Shën-Köllit që ndodheshin në veri të Durrësit. Kontributi që premtuan të jepnin
bujaret arriti në shumën e rëndësishme prej 200 mijë dukatësh ari.
"Lidhja Shqiptare" kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake të
krijuar për nevojat e luftës kundër pushtuesve turq, por secili bujar pjesëmarës
e ruante autonominë e vet, Skënderbeu, si kryetar, ishte në këtë kohë vetëm një
"i parë midis të barabartëve" dhe nuk gëzonte asnjë të drejtë të ndërhynte në
zotërimet e bujarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm
politik e ushtarak kishte një rëndësi të madhe, ishte një hap përpara në
kapërximin e përçarjes feudale. Në duart e Skënderbeut, i cili fitoi një
prestigj dhe autoritet në radhët e masave popullore si çlirimtar i zotërimeve të
gjëra të Kastriotëve, "Lidhja e Lezhës" u bë një mjet për bashkimin politik të
mbarë popullit shqiptar në luftën kundër pushtuesve turq.
Republika Raguzes, ndonse premtoi, nuk dërgoi ndonjë perfaqësues në kuvend.
Edhe Republika e Venedikut nuk mori pjesë zyrtarisht. Ajo dërgoi këtu vetem një
vëzhgues. Republika, e cila ishte në paqë me sulltanin dhe nuk donte t'i prishte
marrëdhëniet me të, u dha shqiptarëve, me anën të vëzhguesit të saj, vetëm
premtime të thata. Ajo bile, vrapoi të nxirrte përfitimet e veta. Duke përdorur
si pretekst rrezikun e shqiptarëve, republika hyri në bisedime me turqit, dhe u
kërkoi Vlorën e Kaninën. Por këto qytete sulltani nuk i
lëshoi.