Më 1464 filloi për shqiptarët periudha e fundit e rezistencës së
udhëhequr nga Skënderbeu kundër shkelësve turq. Tani sulltan Mehmeti i II dërgoi
kundër Shqipërisë një varg ekspeditash, qëllimi i të cilave ishte të shkretonin
krejtësisht vendin për të shteruar burimet ekonomike e financiare, të lodhnin
dhe të demoralizonin forcat shqiptare për të përgatitur kështu terenin e
grushtit përfundimtar.
Megjithatë shqiptarët nuk u ligështuan por i përballuan me të gjitha forcat e
tyre hordhitë e egërsuara otomame. Më 14 gusht 1464 në afërsitë e Ohrit,
shqitarët, të udhëhequr gjithënjë nga Skënderbeu, i dërmuan plotësisht ushtritë
turke nën komandën e Sheremet Beut. Më 1465, sulItan Mehmeti i II ia ngarkoi
barrën e ekspeditave një renegati shqiptar, Ballaban Pashës, një nga ushtarakët
më të shquar të perandorisë së osmanllijve. Brënda vitit Ballabani kryesoi katër
ekspedita kundër Shqipërisë . Ekspedita e parë u krye në prill. Beteja u
zhvillua në fushën e Vajkalit, në Bulqizë dhe përfundoi me thyerjen e ushtrive
turke. Por fitorja kushtoi shumë shtrenjtë. Ballabani dijti ta tërhiqte ushtrinë
turke nga beteja pa pësuar dëme të mëdha dhe njëkohesisht të kapte gjallë disa
qindra robër shqiptarë, bashkë me ta dhe 8 nga komandantët më të shquar të
Skënderbeut, midis të cilëve edhe Moisi Golemin.
Komandantët e zënë rob u qëndruan heroikisht deri sa vdiqën, torturave të
turqve. Ekspedita e dytë u krye në qershor dhe e treta në korrik, por në të dy
rastet Ballaban Pasha u thye shumë keq. Në gusht të atij vit, kundër Shqipërisë
erdhën dy ushtri turke njëkohësisht nga dy drejtime të ndryshme, njëra nën
komandën e Ballaban Pashës nga Maqedonia dhe tjetra nën atë të Jakup Arnautit
nga sanxhaku i Shqipërisë. Por Skënderbeu, në krye të ushtrisë shqiptare theu më
parë Ballaban Pashën në fushën e Vajkalit dhe pas disa ditësh ushtrinë tjetër
turke në fushën e Kasharit, ku mbeti i vrarë edhe komandanti i saj, Jakup
Arnauti.
Duke kujtuar se tashmë ishin krijuar kushtet për të shkatërruar qëndresën
shqiptare, sulltan Mehmeti i II vendosi më në fund të vinte vetë në Shqipëri. Në
qershor të vitit 1466 në krye të armatës së jenicerëve dhe të ushtrive të
Anadollit e të Rumelisë, prej rreth 150 mijë vetësh, duke ardhur nga ana e
Manastirit, hyri në Shqipëri, përshkoi luginën e Shkumbinit dhe iu drejtua
Krujës. Me këtë ekspeditë lufta e madhe shqiptare-turke arriti kulmin. Kronistët
turq, të cilët na japin lajme mjaft interesante për këtë ekspeditë, thonë se
këtë radhë sulltan Fatihu kishte vendosur të shtypte me çdo kusht rezistencën
shqiptare duke përdorur të gjitha mjetet e mundëshme, bashkë me to çfarosjen e
popullsisë vëndase. Shqiptarët, të cilët e parashikonin tërbimin e turqve, e
dinin se këtë radhë më tepër se herë tjera, ishin të detyruar të luftonin për
jetë a për vdekje. Për këtë arësye, sikurse shënon Dursun Beu, kur ushtritë
turke hynë në Shqipëri, shqiptarët kishin braktisur fushat e luginat, ishin
tërhequr në male të thepisura dhe në gryka të ngushta ku kishin marrë masa
mbrojtëse.
Ushtrinë e vet sulltani e ndau në dy
pjesë. Njëra nga ato rrethoi Krujën. Tjetra mori
urdhër të ndiqte çetat shqiptare që sulmonin
prapa krahëve ushtrinë dhe karvanet turke. Osmanllijtë,
pohon kronisti Qemal Pasha-Zade, - për shkak të dëmeve
të mëdha që pësuan me shqiptarët u treguan
këtu të tmerrshëm dhe s'lanë bimë mbi
tokë". Reparte turke të stërvitura në luftimet e
maleve, i ndoqën shqiptarët deri në thellësi, por
kudo ndeshën në një qëndresë të
pabesueshme. Gjatë këtyre operacioneve, thotë
Dursun-Beu, me urdhër të padishahut u vra pa
mëshirë, cilido që u zu gjallë, vendi u
plaçkit tmerrësisht, gratë dhe fëmijët u
morën robër. Plaçka e luftës qe aq e madhe, shton
Qemal Pashë-Zadeja, sa për të mos e lënë
atë në duart e shqiptarëve, kuajtë e ngarkuar
rëndë ngordhën rrugës. Me gjithë dëmet e
mëdha, shqiptarët u rëzistuan heroikisht këtyre
operacioneve. Kronisti bizantin i sulltan Fatihut, Kritobuli nga
Imbrosi, që e vëzhgoi së afërmi këtë
luftë, thotë se shqiptaret preferonin më mire vdekjen se
sa të binin në duart e turqve. "Disa ilirianë
(shqiptarë) shkruan Kritobuli duke parë se ndiqeshin nga
hoplitët dhe pasi nuk gjetën asnjë vend për t'u
strehuar, u hodhën poshtë që nga shkëmbejt, në
hapësirën e përrejve dhe u vranë."
Me pjesën tjetër të
ushtrisë, Mehmeti i II. duke patur prane edhe Ballaban Pashën
e shtrëngoi rrethimin e Krujës. Si më 1450 edhe tani,
Skënderbeu kishte lënë në kështjellë
një garnizon prej 4 mijë vetësh, nën komandën
e Tanush Topisë ,kurse vetë me pjesën tjetër
të ushtrisë prej rreth 8 mijë vetësh, kishte
qëndruar jashtë. Edhe këtë radhë, Kruja u
qëndroj gjyleve të mëdha dhe sulmeve të
përgjithëshme të turqve. Skënderbeu si dhe më
parë nga jashtë, me sulmet e tij të shpeshta, i shkaktoi
dëme të shumta ushtrisë së panumërt të
osmanllijve. Sulltani i drejtoi vetë operacionet e rrethimit
për dy muaj me radhë. Në gusht ky u bind se Kruja nuk
mund të merrej dot as këtë radhë. Kështu
Pushtuesi i Stambollit, sulltani që kishte projektuar planin e
pushtimit të Italisë, u mbulua me turp nën muret e
Krujës.
Në gusht ai me një pjesë të
ushtrisë u largua nga kampi i Krujës duke lënë aty
Ballaban Pashën me 80 mijë ushtarë për të
vazhduar rrethimin derisa të detyronte garnizonin të
dorezohej nga uria. Për t'i siguruar një
pikëmbështetje të sigurtë ushtrisë turke
që la në Shqipëri, Mehmeti i II ndërtoi, në
luginën e Shkumbinit, mbi gërmadhat e kalasë vjetër
të Valmit, një kala të re, së cilës i vuri
emrin arabisht Ilbasan (vend që sundon). Në një
letër që Mehmeti i II i dërgoi birit të tij,
Bajazitit, i thoshte ndër të tjera se kalaja e re ishte
ndërtuar në vëndin më të
përshtatshëm dhe do të shërbente si bazë
për pushtimin e Shqipërisë. Sulltani e bëri
Elbasanin po në atë kohë edhe qendër sanxhaku duke
lidhur pas tij krahinat në veri të lumit Devoll e Seman
të cilat në organizimin e vitit 1432 ishin
përfshirë në sanxhakun e Shqipërisë. Me
këtë organizim të ri sanxhaku i Shqipërisë u
suprimua. Në vend të tij tani kishte dy sanxhaqe; njëri
në Shqipërinë e mesme me qendër Elbasanin, të
cilit iu ngarkua barra të nënshtronte krahinat që
ndodheshin në kontrollin e Skënderbeut, tjetri në jug me
qëndër në Vlorë, i cili do të shërbente
si bazë për përgatitjen e ekspeditë që Fatihu
ëndërronte gjithnjë të kryente në Itali.
Për të plotësuar organizimin ushtarak-administrativ,
sulltani urdhëroi të bëhej edhe një herë
regjistrimi i tokave në defterin e hollësishëm.
Në vjeshtë, pasi kishte përfunduar ndërtimi i kalasë, sulltani u largua nga
Shqipëria. Gjatë rrugës prej Elbasanit në Dibër, ai rrethoi dhe pushtoi qytetin
e Qidhnës, ku ishin strehuar rreth 10 mijë gra, pleq e fëmij, të larguar nga
krahinat fushore dhe pasi i shtiu në dorë, i masakroi barbarisht si hakmarrje
për disfatën e turpshme.